31 October 2005

ATA U SAKRIFIKUAN PËR LIRINË DHE PAVARËSIN E KOSOVËS
















Foto 1. Bashkë me malësorët e Rugovës, për t’u dhënë nderimet e fundit Sak Fazlisë dhe bashkëluftëtarëve të tij kishte ardhur edhe akademik Mark Krasniqi, kryetar i PShDK-së
Foto 2. Këshilltari Sali Cacaj duke lexuar mesazhin e presidentit Rugova

Shkruajne: Halil Gashi - Rrustem Rugova

Nën patronatin e Presidentit Rugova, në Koshutan të Rugovës, u rivarrosën katër viganët e lirisë

“Ky moment na bënë nder dhe na kthen edhe një herë në të kaluarën tonë të mbushur plot sakrifica, na kthen edhe një herë në historinë tonë plot përpjekje për liri dhe pavarësi”, tha Adem Salihaj, zv/kryeminstër i Kosovës.

Rugovë, 30 tetor

Në Lëndinën e Kushtrimit, në Koshutan të Rugovës, nën patronatin e presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rigova, me nderime të larta ushtarake u bë rivarrimi i katër viganëve të lirisë së Kosovës, Sak Fazlisë, bajraktar i Rugovës, i vrarë në Smilovicë më 1944, Selmon Jashar Uqit nga Blinishta e Shkodrës, i vrarë më 1944, po ashtu në Smilovicë, dhe Bajram Sharit, po ashtu i rënë në Smilovicë, por më 1941. Që të tre këta luftëtarë të atdheut ranë në luftat e rrepta, në kufirin shqipataro-malazez, duke mbrojtur kufirin e trevave etnike shqiptare. Së bashku me ta u rivarros edhe Sali Jaha, pjesëmarrësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Për t’u dhënë nderimet e fundit këtyre bijve të kombit, në Koshutan, përveç familjarëve të tyre, kishin ardhur shumë bashkëvendas nga të gjitha mjediset e Rugovës, qytetarë të tjerë nga mbarë Kosova, pjesëtarë të TMK-së, SHPK-së etj. Morën pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta të vendit, si zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, ministrat Haki Shatri dhe Melihate Termkolli, pastaj Sali Cacaj, këshilltar i presidentit Rugova, deputetë të Parlamentit të Kosovës, kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, Ali Lajçi, deputet të këtij kuvendi, veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Hysen Gërvalla etj.
Pasi iu shprehu ngushëllime familjarëve të këtyre dëshmorëve të kombit, në emër të presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, këshilltari Sali Cacaj lexoi mesazhin e presidentit.
Më pastaj, fjalën e mori zv/kryeministri Adem Salihaj, i cili vlerësoi se Sak Fazlia dhe bashkluftëtarët e tij u bënë sinonim i qëndresës, hynë në këngë dhe u shndërruan në legjendë.
“Ky moment na bënë nder dhe na kthen edhe një herë në të kaluarën tonë të mbushur plot sakrifica, na kthen edhe një herë në historinë tonë plot përpjekje për liri dhe pavarësi. Të gjitha përpjekjet tona shekullore, të gjitha ato sakrifica të bëra brez pas brezi, edhe në kohën e Sak Fazlisë, Zhuj Selmanit dhe shumë burrave të tjerë trima të pëndës e të pushkës, e kanë sjellë Kosovën deri në ditët e sotme, kur po finalizohen këto përpjekje shekullore për liri dhe pavarësi”, tha Salihaj. Ai po ashtu rikujtoi se presidenti i Kosovës, njeriu i urtë dhe i nderuar, Ibrahim Rugova, i cili qe më tepër se një dekadë e udhëheq Kosovën dhe qëndron në krye të institucioneve tona për liri dhe pavarësi, vjen pikërisht nga kjo trevë dhe ka lidhje gjaku me Sak Fazlinë.
“Institucionet e Kosovës po punojnë me përkushtim që të mos shkojë kot e tërë ajo sakrificë e popullit për liri dhe pavarësi. Sot Kosova i ka bërë përgatitjet e fundit për ta realizuar aspiratën e popullit për liri dhe pavarësi. Asaj, si kurrë me parë, i duhen përkushtimi dhe urtia, i duhet uniteti dhe angazhimi maksimal për ta çuar deri në fund këtë aspiratë, për të cilën u angazhua edhe Sak Fazlija me luftëtarët e tij dhe brezat e tërë”, tha zëvëndëskryeministri Adem Salihaj në ceremoninë e rivarrimit të këtyre trimave të Kosovës.
“Nga këto treva të Rugovës, nga këto kreshta malesh, po ia përcjellim presidentit të Kosovës dëshirat tona për mirëqenien dhe shëndetin e tij”, tha në fillim të fjalës së tij Ali Lajçi, kryetar i Kuvendit Komunal të Pejës. Ai më pas tha se këta dëshmorë, eshtrat e të cilëve sot po i rivarrosim, ranë duke e mbrojtur kufirin shqiptar, ndaj janë shembulli më i fuqishëm për ne për të vazhduar rrugën drejt synimeve tona.
“Ne me një angazhim dhe unitet institucional po vazhdojmë që ta madhërojmë veprën e të gjithë atyre që ranë deri tani në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, tha Lajçi.
Ndërkaq, në emër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Zona e Tretë, kolonel Rasim Agushi, theksoi: “Ishte e gjatë lufta për çlirimin e trojeve të Kosovës dhe po ashtu është i gjatë edhe vargu i dëshmorëve të kombit të rënë në rrugën e lirisë. Epokat e ndryshme të luftës në vete mbajnë emrat e heronjve të lashtësisë, emrat e Sak Fazlisë, Zhujë Selmanit, Qelë Shabanit e shumë heronjve të tjerë, të cilëve iu bashkangjitën edhe emrat e luftëtarëve më të rinj nga kjo trevë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Selmon e Besnik Lajçi, Ramush Xhavit Lajçi dhe shumë bashëkluftëtarëve të tjerë”.
Për jetën dhe veprën madhore kombëtare të këtyre katër patriotëve dhe luftëtarëve të lirisë foli Sali Muriqi, i cili përkujtoi heroizmat e tyre në betajat e zhvilluara deri atë ditë që ranë në Smilovicë, në kufirin shqiptaro–malazez.
Sak Fazlia më shokë sot iu kthye përjetësisht Fushës së Kushtrimit në Koshutan, aty nën Molikë, ku burrat e Rugovës lëshonin kushtrimin dhe mbanin kuvendet për t’i dalë gjithnjë zot atdheut.

MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA

Këta burra të udhëhequr nga flamurtari Sak Fazlia dhe flamurtari Sali Jaha, do të mbesin në historinë më të re të Kosovës dhe të botës shqiptare, si trima të mëdhenj në mbrojtje të popullit dhe të tokës së Kosovës dhe të Rugovës. Ata luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E çmojmë lart sjelljen dhe rivarrimin e këtyre katër trimave në tokën e Kosovës, që po e bëni sot.
I falemi kujtimit të tyre të përjetshëm,
Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë,
Zoti e bekoftë Sak Fazlinë, Bajram Sharin, Selmon Uqin dhe Sali Jahën si dhe familjet e tyre.
Zoti e bekoftë Kosovën.

0 Comments:

Post a Comment

<< Home